MARIGLEN KUME/ Grupi negociator i mandatuar nga kryedemokrati Lulzim Basha, i përbërë nga Edi Paloka, Gazment Bardhi dhe Alfred Rrushaj, nuk ka mbyllur ende marrëveshjen me aleaten tradicionale të PD-së, Partinë Republikane.

Dje, kryetari i kësaj force Fatmir Mediu zhvilloi një takim edhe me kryetarin e PDsë Lulzim Basha. në përfundim të takimit në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama.al ” Mediu tha se i shprehu kreut të PD-së qëndrimin e PRsë, se marrëveshja e koalicionit duhet të bëhet mbi bazat e peshës elektorale të çdo partie. Mediu foli edhe për aktivitetin e PR-së gjatë paradites së djeshme ku prezantoi 36 kandidatët për kryeqytetin.

Në lidhje me këtë akt Mediu tha se në 30 vite eksperiencë ka pasur raste kur partitë politike kanë gjetur dakordësinë dhe raste kur nuk janë kuptuar. Ndaj tha ai, edhe nëse negociatat nuk shkojnë siç duhet me PD-në, PR-ja do të jetë e përgatitur për të shkuar në zgjedhje edhe e vetme. Burime pranë opozitës bënë me dije për gazetën “Panorama” se kryetari i PR-së kërkon që nga partia që ai drejton në listën e koalicionit opozitar të ketë dy emra brenda vijës fituese dhe 5 të tjerë në limitet.

Ju prezantuat 36 kandidatët për Tiranën. Çfarë mesazhi përçon kjo, sepse deri tani ne dimë që PR së bashku me aleatët duhet të jetë me PD në një listë?

Unë mendoj që asnjë koalicion nuk ka vlerë, nëse një parti politike nuk ka kandidatët e saj që pavarësisht, nëse janë apo jo në listë, nuk përpiqen të jenë të angazhuar. Partia Republikane duhet të kërkojë votën në çdo cep të Tiranës dhe në çdo pjesë të Shqipërisë dhe për t’i kthyer ato më pas në mandate për opozitën. E dyta, ne jemi në negocime, por kjo nuk do të thotë që nëse negocimet nuk do të shkojnë siç duhet, PR-ja të mos hyjë në zgjedhje. Në 30 vjet eksperiencë kemi pasur momente me kuptime dhe moskuptime. Por, ajo që më bën mua të ndihem mirë, është që PR-ja ka një grup të mirë politik jo vetëm në Tiranë, por edhe në qarqet e tjera që garantojnë mandatet në Tiranë, por edhe në qarqet e tjera.

Cili është profili i kandidatëve që prezantuat ju sot (dje) në Qarkun e Tiranës?

Mbi 80% janë njerëz të rinj dhe po ju them njerëz të rinj e të provuar në organizimin politik. Prej 6 muajsh kanë arritur një organizim perfekt të strukturës së Partisë Republikane në Tiranë dhe e vetme PR-ja, nuk besoj se diskuton një mandat. Po,r ajo që besoj, është ajo çka ata përfaqësojnë në idenë e tyre për të krijuar një maxhorancë efektive që i shërben interesave të Shqipërisë në favor të integrimit të Shqipërisë.

Që nga momenti aktivitetit që ju bëtë prezantime, në media është interpretuar si një presion ndaj PD-së se ju mund të dilni në zgjedhje të vetëm. Ne kemi parë edhe më herët, që aleatët janë shprehur se vendimmarrja për koalicionet është e vonuar.

Mendoj se mbyllja e çështjes së koalicioneve dhe gjithë asaj që ka të bëjë me organizimin elektoral, sa më shpejt të bëhet aq më në favor të PD-së është në radhë të parë dhe më pas në favor të opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë. Unë e kam thënë qe ne nuk duhet të humbasim kohë. Unë e kam thënë që bashkëpunimi duhet të jetë në çdo qendër votimi në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Kështu që nuk është çështje presioni, por është çështje e marrëdhënieve të drejta. Partia Republikane nuk ka kërkuar t’i marrë asgjë Partisë Demokratike, por PR-ja ka ofruar partneritetin e saj për të fituar zgjedhjet bashkë me PD-në.

Ju patët një takim në PD, a diskutuat për koalicionet në këtë takim me z. Basha dhe mund ta themi tani si do të dalë opozita e bashkuar në zgjedhje?

Z. Basha ka caktuar një trupë që po negocion me aleatët. Nuk është Z. Basha në negociata, por Paloka, Bardhi dhe Rrushaj, por kjo nuk do të thotë që z. Basha nuk është në dijeni. Diskutojmë edhe për çështjen e koalicioneve. Unë padyshim i kam shprehur edhe qëndrimin e Partisë Republikane në raport me atë që i kam thënë edhe trupës negociatore, por diskutuam edhe çështje të tjera që i kalojnë faktet e marrëdhënieve bilaterale e politike.

Cili është qëndrimi i PR që i keni shprehur Bashës?

Është i thjeshtë. PR-ja ka një peshë elektorale të caktuar. Tej kësaj, duhet të diskutojmë për të gjithë kandidaturat e mundshme. Është e rëndësishme që të maksimizojmë votat në çdo qark të Shqipërisë. Të vlefshme janë 2500 votat e PR-së në Kukës, apo në Dibër e në Gjirokastër. Për ta bërë këtë të mundshme, është shumë e rëndësishme se kush janë njerëzit që do të garojnë dhe marrëdhëniet që krijojnë me kandidatët e partive të tjera, pavarësisht janë, apo nuk janë në lista. Janë një mori marrëdhëniesh që duhen vendosur. Edhe mënyra se si do të dalim, si do ndahen zonat. Edhe këto janë për t’u vendosur.

Ju ku do të kandidoni?

Unë nuk kam shprehur asnjë dëshirë. E kam thënë fare hapur se mund të shkoj kudo që mund të shtoja ndonjë votë për opozitën.

© Panorama.al

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here