Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vullin, deklaroi se po zhvillohet një hetim serioz për rastin e përgjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Ministria e Brendshme po kontrollon të gjitha pretendimet dhe po kryen një hetim shumë serioz, i cili do të duhet të japë rezultate”, tha ministri Vullin për televizionin B92.

Sipas tij, për motivet dhe kualifikimin e përgjimit të presidentit Vuçiq do të mund të flitet vetëm kur policia t’u drejtohet autoriteteve kompetente gjyqësore me rezultatet përfundimtare.

Më 31 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi për TV Pink se ai ishte përgjuar nga shërbimet e brendshme dhe se autoritetet kompetente do të përcaktojnë nëse ato ishin të lidhur me shërbime të huaja.

“Mendoj se e di kush qëndron pas saj, por nuk do të doja ta thoja publikisht”, tha Vuçiq, duke shtuar se autoritetet kompetente po merren me këtë çështje.

Vuçiq tha se “përgjimi i presidentit të shtetit është një përpjekje e drejtpërdrejtë për një grusht shteti”.

Ndërkohë sipas ministrit të Brendshëm serb është e rëndësishme të zbulohen të gjitha detajet në lidhje me këtë rast.

Ministri Vullin theksoi se askush nuk lejohet të përgjojë cilindo qytetar të Serbisë pa një urdhër të duhur, dhe se kjo është veçanërisht e ndjeshme kur bëhet fjalë për presidentin e shtetit.

Prokuroria e Lartë Publike dhe Prokuroria Publike e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë (RFE) nëse kanë filluar të veprojnë sipas pretendimeve të Vuçiqit se ai ishte përgjuar. Ata gjithashtu nuk iu përgjigjën pyetjes se cili ishte rezultati në rastet e mëparshme të akuzave për përgjime të zyrtarëve shtetërorë dhe politikanëve.

Në gusht të vitit 2019, Vuçiç tha se ai kishte qenë subjekt i monitorimit dhe mbikëqyrjes së shërbimeve sekrete serbe për 25 vitet e fundit, dhe në Pink TV ai citoi disa dokumente të kategorizuara si “sekret shtetëror”.

Ai më vonë pretendoi se ai hoqi shenjën e fshehtësisë në përputhje me ligjin./Rel

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here