Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për ri-legjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja, kurse Serbia ka nevojë për demokratizim dhe ballafaqim me të kaluarën.

Kurti këtë deklaratë e bëri në takimin virtual me drejtorin e Global Europe Progam, në kuadër të Wilson Center me bazë në ShBA, Daniel Hamilton dhe me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtar nga Grupi Punues për Ballkanin Perëndimor në kuadër të kësaj Qendre.

“I shoqëruar nga Sekretari ynë për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, prezantova mbi përvojën dhe sfidat e qeverisjes sonë në nivelin qendror në pranverën 2020, mbi përgatitjet tona në kuadër të qeverisjes alternative me pesë shtylla përkatëse të saj, dhe mbi rezultatet e suksesshme elektorale në Besianë e në komunën veriore të Mitrovicës që konfirmuan rritjen e madhe të Vetëvendosjes”, shkruan Kurti.

Ai tha se situata në Ballkanin Perëndimor dhe dialogu me Serbinë ishin po ashtu ndër temat kryesore të takimit.

“Aty paraqita qëndrimin tonë se dialogu duhet të jetë parimor dhe i definuar mirë, se Kosova ka nevojë për ri-legjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja, kurse Serbia ka nevojë për demokratizim dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjithashtu, theksova se nuk duhet të synohet medoemos një përmbyllje e shpejtë e dialogut, por duhet t’i japim përparësi përmbajtjes, transparencës dhe gjithë përfshirjes”, tha ai.

Kurti më tej thekson se ishte shumë e vlefshme t’i dëgjojnë mendimet dhe analizat e pjesëmarrësve mbi çështjet e shumta të diskutuara, si situata politike në ShBA, shanset e restaurimit të raportit trans-atlantik për rajonin tonë, niveli i ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor dhe masat për parandalimin dhe kufizimin e ndikimit të tyre autoritar etj.

/Telegrafi/

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here