Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto e konsideron kërkesën e mazhorancës për ngritjen e një Komisionit të Posaçëm Hetimor për veprimtarinë e UÇK-së si “çështje të turpshme”.

Haxhinasto, i cili ka mbajtur dhe detyrën e zv. kryeministrit gjatë një interviste për Euronews Albania tha se kjo është një nisme e Partisë Socialiste në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Hapja e një çështjeje të tillë patjetër që është e lidhur me atë që po ndodh në Hagë por unë e lidh shumë me fushatën elektorale. Vetëm drejtësisë nuk i shërben trajtimi i çështjes në një mënyrë të tillë, nuk i shërben as Kosovës”, tha ish-ministri i Jashtëm.

“Nuk e ekzagjeroj por e them që është një çështje turpshme që hapet në Shqipëri, në vend të saj do të doja të shikoja një koordinim të faktorëve në Shqipëri dhe Kosovë pasi është i nevojshëm bashkimi i forcave për të përballuar këtë moment”, shtoi Haxhinasto.

Ish-kreu i diplomacisë në Tiranë foli më tej për disa gabime të rënda të politikës si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duke theksuar se nuk janë marrë seriozisht sfidat ndërkombëtare që kanë  të bëjnë me perspektivën e kombit.

“Ka disa gabime në Kosovë dhe Shqipëri. Shumë sfida ndërkombëtare i marrim me lehtësi, me idenë se ka kush mendon për këto kemi partnerët tanë. Këto janë sfida të rëndësishme kombëtare. Çështja e trajtimit të luftës çlirimtare dhe problematikave që lidhen me të apo persona që mungojnë duhet të ishin çështje të dy qeverive në takimet e përbashkëta. Ky bashkëpunim duhet të kishte më tepër substancë. Qeveria (shqiptare) e paraqet sikur po bën diçka të madhe, por me substancat e rëndësishme pak bëhet si për ekonominë ashtu edhe për sfidat kombëtare”, u shpreh ai.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Beograd tha se, Rusia dhe Serbia por nuk përjashtoi dhe faktorë të tjerë po përpiqen të përfitojnë duke errësuar luftën e UÇK-së ndaj sipas tij çdo arritje e faktorit shqiptar në rajon nuk duhet marrë si e mirëqenë dhe përfundimtare.

“Asgjë nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe asgjë nuk duhet të konsiderohet si e dhënë njëherë e përgjithmonë. Duhet luftuar çdo ditë qoftë për drejtësinë e luftës së Kosovës qoftë për moralin e saj, arritjet që ka Kosova sot në bazë gjithçka që ndodhi pas çlirimit të saj, pozicionimi i faktorit shqiptar si faktor stabiliteti, konstruktiv, pro evropian, duhet ruajtur dhe zhvilluar më tej.

Të tregohet se ka qenë një zgjedhje dhe vendimmarrje e duhur e botës demokratike e faktorëve më të rëndësishëm evropianë e SHBA dhe nuk kanë qenë të ndërtuara mbi bazën e themeleve të gabuara siç pretendohet nga një klimë dhe përpjekjeje tillë që ne po e shohim sot çdo ditë”, përfundoi Haxhinasto.

/euronews.al

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here