Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Dashamir Peza në një rrëfim ekskluziv me Robert Rakipllarin në Neës24, hodhi dritë në lidhje me një ngjarje të 22 viteve më parë, masakrën e Krushës së Madhe, e rikthyer në vëmendje pas akuzave të artikuluara nga Edi Rama, se kasetën me filmime të kameramanit amator Milaim Bellanica, e ka Lulzim Basha, në kohën kur punonte për UNMIK-un në Kosovë.

Ndryshe nga sa thuhet, Peza, në atë kohë përkthyes i një ekipi të BBC-së tha se është takuar vetë me këtë kameraman dhe se kasetën ia ka dorëzuar BBC-së.

Ai po ashtu tha se beson që kjo kasetë mund të jetë dorëzuar nga ekipi i BBC-së, pranë OKB-së, pasi kjo e fundit edhe e ka marrë në pyetje kameramanin që filmoi masakrën ku shfaqen të vrarë më shumë se 250 vetë.

Robert Rakipllari: Pra, përfaqësues të OKB e kanë marrë në pyetje si dëshmitar Milaimin…

Dashamir Peza: Po, kanë bërë një intervistë për dëshminë e tij, se çfarë kishte parë ai. Unë do thoja që akti i tij është tepër heroik. Të gjithë u impresionuam, pasi vuri jetën e vetë në rrezik dhe të nënës së tij që mbajti kasetën. Deri dje isha krenar që isha pjesë e kësaj historie edhe pse sot lajmi ka marrë një rrjedhë të padëshiruar. Jetojmë në një periudhë ku loja me fatin dhe personalitetin e tjetrit është kthyer në të pacipë, dje po thoja pse më qëlloi fati të isha pjesë e saj.

Robert Rakipllari: Jeni takuar më me të pas këtij momenti?

Dashamir Peza: Jo nuk e kam takuar, nuk kam mbajtur më kontakte

Robert Rakipllari: Ai pretendon se ka bërë padi në prokurori për çështje pagesash…

Dashamir Peza: Kush duhet të paguante, unë?

Robert Rakipllari: Ai përmend prokurorin Rakipi…

Dashamir Peza: Është kaq e papritur për mua, jam shkëputur nga mediat e lajmet duke jetuar edhe në fshat, por po të them që deri dje se kam pas idenë që kjo histori ekziston dhe unë qënkam i akuzuar. Nëse do kishte ndonjë pagesë, të pyetet BBC nëse ka akorduar ndonjë shumë për të dhe ka dashur t’ia japë përmes meje, por që unë s’ia kam dhënë kjo nuk qëndron. Por unë besoj që media të tilla të fuqishme nuk paguajnë për lajme, e ka kriter BBC.

Robert Rakipllari: Zoti Bellanica, pretendon që këtë kasetë ia ka dhënë Lulzim Bashës që punonte në UNMIK dhe se e ka zhdukur ai…

Dashamir Peza: Nuk kam asnjë lloj dijenie. Di që përfaqësuesit e OKB kanë bërë një intervistë me Melaimin, mbaj mend që është intervistuar.

Robert Rakipllari: Ka qenë Basha?

Dashamir Peza: As e kam njohur, as ia kam idenë kush ka qenë Basha në atë kohë.

Robert Rakipllari: Ju dini që kasetën e ka dhënë tek BBC e cila e ka dorëzuar pranë OKB?

Dashamir Peza: Këtë përshtypje kam, por kanë kaluar 22 vite. Kështu besoj se ka ndodhur se ka pas kontakt mes tyre. Nuk do habitesha ta kenë marrë përfaqësues të OKB

Robert Rakipllari: Si përfaqësues politik dhe anëtar i PS, si e gjykoni këtë debat kur udhëheqësit politikë të Kosovës janë të akuzuar në Hagë për krime lufte dhe këtu ka polemika mes palëve?

Dashamir Peza: UÇK është forcë e lavdishme dhe ashtu duhet të mbetet. Shqiptarët të jenë bashkë për t’i qëndruar në krah luftëtarëve të lavdishëm të UÇK. Përtej arritjeve si njohje politike ka momente kur klasat politike të kalojnë përtej interesave imediate, të jenë bashkë dhe t’i rrinë në krah këtyre njerëzve që kanë udhëhequr një luftë të jashtëzakonshme që meriton respektin dhe përuljen tonë.

© SYRI.net

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here