Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se janë marrë masa të tjera për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, të cilat pritet të votohen në Qeverinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj njoftoi se masat e reja duhet të zbatohen strikt dhe duhet veprime urgjente në masa më të ashpra.

“Mbledhja e sotme e Komiteti për menaxhimin e Pandemisë, ishte e karakterit informues dhe efektin e vendimit të Qeverise për masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë. Situata është e njëjtë si në shtetet e rajonit, por sistemi ynë shëndetësor është i ndryshëm, kapacitetet tona spitalore nuk janë në situatën më të mirë, andaj përtej statistikave me të infektuar, kemi shtim të rasteve të hospitalizimit. Për të mos pasur situatë të jashtëzakonshme me të infektuar edhe me të hospitalizuar, kërkohet zbatim strikt i masave dhe veprime urgjente dhe masa më të ashpra. Në tërë këtë situatë, shkollat fillore dhe të mesme do të jenë të hapura por me mbikëqyrje si deri më tani, ndërsa universitetet vazhdojnë me ligjërata online. Masat janë adresuar për miratim në Qeveri dhe Kabineti qeveritar pritet të votoi për to”, shkroi Zemaj.

Ndryshe, masa të reja janë paralajmëruar edhe më herët gjatë ditës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se në takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, është propozuar që komunat të ndahen në tri grupe varësisht numrit të personave të infektuar.

“Po kanë me u vendos masa të reja nga sot, i kemi ndarë në tri grupe, është e gjelbra, e verdha dhe e kuqja varësisht numrit të të infektuarve”, tha ai.

Ndërkohë, Telegrafi mëson se në grupin e gjelbër do të hyjnë komunat që brenda jave kanë deri në 75 raste, në grupin e verdhë do të hyjnë komunat që kanë nga 76 deri 149 kurse në grupin e kuq do të hyjnë komunat që brenda jave kanë më shumë se 150 raste.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas takimit virtual me kryetarët e komunave, theksoi se do të vazhdojnë me vendime operacionale, për komuna të caktuara në bazë të kategorizimit si pasojë e numrit të të infektuarve.

“Lakorja e rasteve të fundit na detyrojnë për kujdes të shtuar dhe aktiv. Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me komunat e Kosovës me theks me kryetarët dhe Shtabet Komunale Emergjente dhe po ashtu bashkëpunim i të gjithë mekanizmave të institucioneve qendrore dhe lokale për zbatim rigoroz të masave të dala nga niveli qendror, është i domosdoshëm”, ka pohuar ai. 

/Telegrafi/

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here