Mungesa e dokumenteve të rregullta për konfirmimi e vjetërsisë për punët e kryera në ish-kooperativat bujqësore, ka bërë që për vite me radhë shumë persona të sorollaten nëpër dyert e gjykatave për të “ligjëruar” plotësimin e kushteve të përfitimit të një pensioni nga skema e sigurimeve shoqërore. Procese këto që jo vetëm zgjasin në kohë, por mbartin edhe një kosto financiare që në pjesën dërrmuese të rasteve duhet të mbulohet nga vetë personi që kërkon njohjen e viteve të punës në ish-kooperativat bujqësore.

Përkundrejt kësaj problematike shumëvjeçare, në Kuvend tashmë është depozituar edhe projektligji i propozuar nga dy deputët e PS-së, Paulin Strekaj dhe Ilir Beqj, ku kërkohet njohja kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore, duke përcaktuar edhe kushtet konkrete për vlefshmërinë e viteve të punës.

Projektligji në fjalë ka për qëllim njohjen e viteve të punës për të cilat është djegur apo shkatërruar në forma të tjera dokumentacioni arkivor i vjetërsisë në punë, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501 date 19.07.1991 “Për tokën” (i ndryshuar). Konkretisht bëhet fjalë për ato vite pune, për të cilat në Drejtorinë e Arkivit Qëndror të Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk është dorëzuar dokumentacion i plotë për vjetersinë në punë nga data e krijimit, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501.

Në shumë raste është konstatuar se regjistrat e ish-kooperativave janë dorëzuar të mangët ose nuk janë dorëzuar fare. Kjo pasi një pjesë e këtyre regjistrave u shkatërruan gjatë trazirave të vitit 1997 dhe për këtë shkak periudhat e vjetërsisë në punë pranë kooperativave bujqësore nuk u janë njohur anëtarëve të tyre, në mënyrë që të vërtetojnë periudhën e vjetërsisë në punë që nevojitet për kushtet e përfitimit nga skema e pensioneve.

“Këta persona u janë drejtuar gjykatave. Ndjekja e procedurave gjyqësore ka patur dhe ka një kosto finaciare për këtë kategori, e cila është shlyer nga vetë personi ose në raste të caktuara edhe nga organet e sigurimeve shoqerore”, detajohet në relacionin shpjegues të projektligjit të depozituar në Kuvend.

3 kushtet për njohjen e viteve të punës

Sipas propozimeve të bëra, do të njihen si periudha kontributive për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në ish-kooperativat bujqësore, duke nisur nga mosha për punë, e përcaktuar në legjislacionin e kohës, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, date 19. 7 .1991 “Për token”.

Në draftin e propozuar saktësohet se njohja e periudhës së sigurimit për efekt përfitimi të pensionit do të bëhet në varësi të periudhës së deklaruar nga vetë aplikuesi, që mund të jetë në ditë, muaj, apo vite të plota. Por, për të ligjëruar këtë vjetërsi kontributive duhet që të përmbushen tre kushte.

Referuar këtyre kushteve, bëhet e ditur se periudhat e punës do të njihen vetëm kur të vërtetohet se gjatë periudhës së deklaruar aplikuesi nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie, nuk ka qenë qenë përfitues i pensionit të plotë të invaliditetit, si dhe duhet të ketë qenë banor i territorit në të cilin ka shtrirë aktivitetin e saj ish-Kooperativa Bujqësore. Mospërmbushja e këtyre tre kushteve do të çojë në mosnjohjen e vjetërsisë së punës së kërkuar.

Për të shmangur deklarimet e rreme në këtë drejtim është propozuar edhe cilësimi i tyre si vepër penale. Në nenin 6 të projektligjit konfirmohet se: “Deklarimi i rremë i kohës së punësimit prane ish kooperativave bujqësore nga personat kërkues përben vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Nëse ky projektligj do të aprovohet nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave ngarkohet që brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e tij, të miratojë edhe listën e ish kooperativave bujqësore për të cilat nuk disponohet dokumentacioni i vjetërsisë në punë, dhe më pas të nisë vlerësimi konkret në lidhje me kërkesat e paraqitura nga personat që pretendojnë se kanë kryer punë në to.

/gazetadita

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here