Pjesëtarë të EULEX-it, sot në mëngjes kanë kontrolluar shtëpinë e ish-presidentit Hashim Thaçi. Disa makina të EULEX-it të shoqëruara edhe nga ato të Policisë së Kosovës janë parë pranë shtëpisë së ish-presidentit të Kosovës tashmë, i arrestuar dhe i thirrur nga Gjykata e Hagës për t’u përballur me akuzat për krime lufte.

Gjithashtu mësohet se Specialja e mbështetur nga EULEX-i ka kryer kontrolle dhe në banesën e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe shefit të kabinetit parlamentar të VV, Rexhep Selimi.

Thaçi dje dha dorëheqjen nga posti i presidentit, pasi iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale. Gjatë ditës së djeshme u dërgua në Hagë, së bashku me Rexhep Selimin e VV-së dhe Kadri Veselin e PDK-së.

Pas arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Gjykata e Hagës ka publikuar edhe akuzat. Në akuzë thuhet se midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 janë kryer krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit.

Sipas akuzës këto krime janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës UÇK kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

/NOA/

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here