Zoran Petroviç nga Kosova ka pritur të zbulojë se çfarë i ndodhi vëllait të tij Slobodanit që nga viti 1999.

Në qershor të atij viti, menjëherë pasi lufta e Kosovës përfundoi zyrtarisht, Petroviç e pa vëllain e tij për herë të fundit në shtëpinë e tyre në qytetin e Gjakovës.

Kur forcat jugosllave u tërhoqën në Serbi pasi Sllobodan Millosheviçi kapitulloi para fushatës së bombardimeve të NATO-s, serbët dhe banorët e tjerë jo-shqiptarë të Kosovës i druheshin sulmeve hakmarrëse nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosën të largoheshin. Por vëllai i Petroviçit këmbënguli të qëndronte.

“Edhe pse i thashë se nuk ishim të sigurt nga trupat paraushtarake shqiptare, Slobodani vendosi të qëndronte në shtëpi. Ai nuk ishte i përfshirë në luftën e Kosovës, madje as i mobilizuar, kështu që ai besonte se gjithçka do të kthehej në normalitet në Gjakovë”, tha Petroviç për BIRN.

Është ende e paqartë se kush e kapi vëllanë e tij. “Nuk e pashë më kurrë. Dëgjova se trupat paraushtarake e çuan në Shqipëri. Nuk besoj se ai është më gjallë”, tha ai.

Slobodan Petroviç është një nga 51 personat nga Mali i Zi të cilët janë ende të listuar si të zhdukur nga luftërat në ish-Jugosllavi.

Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, 39 prej tyre u zhdukën për shkak të konfliktit në Kosovë, nëntë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tre në Kroaci.

Ata përbëjnë një pjesë të vogël të 11,000 individëve që mbeten të zhdukur nga luftërat e viteve 1990, por të afërmit e tyre janë të zemëruar që autoritetet malazeze nuk kanë bërë më shumë për të përcaktuar vendndodhjet e tyre.

Milica Bozoviç ka pritur lajme për burrin e saj Pantos për më shumë se dy dekada pasi ai gjithashtu u zhduk në Kosovë.

Ajo kujtoi se si, më 19 korrik 1999, më shumë se një muaj pas përfundimit të luftës, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës e morën 60-vjeçarin Panto Bozoviç nga shtëpia e mikut të tij në Rahovec për ta marrë në pyetje.

“Gjashtë ushtarë me uniforma të UÇK-së e thirrën të dilte jashtë dhe e morën me vete. Ishte errësirë kështu që nuk mund t’i shihja fytyrat e tyre. Pyeta forcën e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, dhe autoritetet e Kosovës në Rahovec se përse e morën burrin tim, pasi ai nuk bëri asgjë të gabuar gjatë luftës. Ata heshtnin”, tha Milica Bozoviç për BIRN.

Ajo nuk jeton më në Kosovë. “Kur shtëpia ime u dogj, unë ika në Mal të Zi. Nuk e pashë më kurrë tim shoq”, tha ajo.

“Kjo nuk është një përparësi për vendimmarrësit”

Zoran Petroviç në ish-qendrën e refugjatëve në Sutomore, Mal i Zi. Fhoto: BIRN/Milos Vujovic.

Për shkak se 51 malazezët u zhdukën në vende të tjera, bashkëpunimi i dobët midis ish-shteteve jugosllave ka qenë një pengesë e madhe për të gjetur se ku janë varrosur ata.

Roli i Malit të Zi gjatë luftës

Si pjesë e Jugosllavisë, Mali i Zi mori pjesë drejtpërdrejt në luftërat e mesit të viteve 1990 në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit, megjithëse nuk pa asnjë konflikt të armatosur në tokën e vet.

Në vitin 1999, Mali i Zi nuk ishte i përfshirë në luftën e Kosovës, por disa nga qytetarët e tij luftuan atje me forcat e Ushtrisë Jugosllave.

Që kur Mali i Zi u bë i pavarur në 2006, ai ka mbajtur vetëm tetë gjyqe për krime lufte të kryera në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Por janë gjykuar vetëm të dyshuar të nivelit më të ulët, përfshirë roje, kuzhinierë, shoferë dhe vullnetarë ushtarakë.

.

Tamara Milas nga Qendra për Edukim Qytetar, një organizatë me bazë në Podgoricë, tha se autoritetet malazeze gjithashtu nuk kanë treguar përkushtim të mjaftueshëm.

“Po bëhet një punë e pamjaftueshme për të zbuluar faktet në lidhje me viktimat dhe për të identifikuar të gjitha varret dhe vendet e vuajtjeve në secilin nga vendet ku u zhvillua lufta. Është e qartë se kjo nuk është një përparësi për vendimmarrësit”, tha Milas për BIRN.

Në vitin 2014, Mali i Zi krijoi Grupin e Personave të Zhdukur, një organ qeveritar që mban familjet e personave të zhdukur të azhurnuar në lidhje me zhvillimet dhe mbledh fakte që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendeve të varrosjes të viktimave të luftës. Ai gjithashtu u jep familjeve ndihmë në organizimin e funeraleve dhe mbështet shoqatat e personave të zhdukur.

Në të njëjtin vit, Mali i Zi nënshkroi një deklaratë rajonale me Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Kroacinë që kishte për qëllim të rrisë bashkëpunimin midis shteteve dhe të bëjë më të lehtë kërkimin për trupat e të vdekurve të luftës. Deklarata angazhoi autoritetet në secilin vend të bëjnë përpjekje të reja për të gjetur, zhvarrosur dhe identifikuar të zhdukurit.

Që atëherë, dhjetë individë të zhdukur nga Mali i Zi janë gjetur, duke përfshirë pesë anëtarë të familjes Sutakoviç nga Kosova dhe një burrë të quajtur Branko Sukoviç nga Bosnja dhe Hercegovina.

Por Ljubisa Filipoviç, kreu i Shoqatës Crveni Bozur të Familjeve të Njerëzve të Zhdukur, të Rrëmbyer dhe të Vrarë, argumentoi se bashkëpunimi ndërkufitar ka qenë i papërshtatshëm.

“Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë me Grupin shtetëror të Personave të Zhdukur, por ka mungesë nismash rajonale. Për shembull, në Kosovë po presim ende analizën e ADN-së të eshtrave të zhvarrosura”, tha Filipoviç.

“Pas dy dekadash, kemi humbur shpresën se do t’i gjejmë gjallë të dashurit tanë. Ne thjesht duam të gjejmë dhe varrosim eshtrat e tyre”, shtoi ai.

Progres raporti vjetor i Komisionit Europian për Malin e Zi për vitin 2020 tha se vendi ka bërë përparim të mirë që nga themelimi i Grupit të Personave të Zhdukur.

Raporti tha se organi qeveritar kishte zgjeruar bashkëpunimin dhe kishte rritur efektivitetin në llogaridhënien për personat e zhdukur, me më shumë shkëmbime informacionesh mbi varret e mundshme dhe gërmimet, nisjen e një baze të dhënash publike rajonale dhe azhurnime për përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur.

Sekretarja e Grupit të Personave të Zhdukur, Darka Dzabasan, tha se bashkëpunimi me komisionet e personave të zhdukur në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë është i mirë, por paralajmëroi se institucionet e tjera shtetërore duhet të bashkëpunojnë edhe përtej kufijve në mënyrë që të gjenden më shumë të zhdukur.

“Për përparim të mëtejshëm është e nevojshme të intensifikohen dhe koordinohen aktivitetet e të gjitha organeve dhe institucioneve përkatëse që do të rezultonin në zgjidhjen e një numri më të madh çështjesh”, tha Dzabasan për BIRN.

“Dëshiroj thjesht të varros eshtrat e burrit tim”

Ljubisa Filipoviç në Shoqatën Crveni Bozur të Familjeve të Personave të Zhdukur, Rrëmbyer dhe të Vrarë në zyrën e tij në Sutomore. Foto: BIRN/Milos Vujovic.

Progresi në çështjen e personave të zhdukur në të gjithë ish-Jugosllavinë ka qenë i vogël.

Zyrtarë të lartë nga Serbia dhe Kosova deklaruan në korrik se ata janë të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin për të gjetur eshtrat e njerëzve të zhdukur në luftën 1998-1999, por nuk është ende e qartë nëse këto premtime ishin vetëm retorikë politike pa përmbajtje praktike.

Serbia dhe Kosova nënshkruan gjithashtu marrëveshje të veçantë me Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar që i angazhuan ata, ndër të tjera, “të përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar eshtrat e personave të zhdukur”.

Por çështja nuk u ngrit në bisedimet pasuese në nivel ekspertësh që u mbajtën në Bruksel dhe ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç më pas zemëroi shqiptarët e Kosovës teksa kritikoi serbët që kanë ndihmuar hetuesit të gjejnë vendet e varreve të fshehura të luftës së viteve 1990. Organizatat e personave të zhdukur në Kosovë besojnë se mbeten për t’u zbuluar shumë varre të tjera të fshehta të njerëzve të vrarë nga forcat e Beogradit.

Bosnja dhe Hercegovina udhëhoqi rajonin e ish-Jugosllavisë duke miratuar një Ligj mbi Personat e Zhdukur në vitin 2004 dhe Kroacia bëri të njëjtën gjë në 2015. Por deri më tani Mali i Zi nuk e ka ndjekur atë shembull.

“Mali i Zi ende nuk ka një ligj mbi personat e zhdukur, duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera që po punojnë në mënyrë aktive për të zgjidhur këtë problem. Një grup i tillë rregullues detyrues mund të jetë një model i mirë për t’u ndjekur në sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur”, tha Milas.

Dzabasan pranoi: “Mali i Zi nuk ka një kuadër të përshtatshëm ligjor që do të përmirësonte në mënyrë të përshtatshme procesin e kërkimit të personave të zhdukur. Megjithatë, mungesa e një ligji për personat e zhdukur nuk e zvogëlon detyrimin e qeverisë për t’u angazhuar me vendosmëri në kërkimin e personave të zhdukur”, tha ajo.

Mali i Zi ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë në vitin 2011, megjithëse zhdukja e detyruar ende nuk është klasifikuar si një vepër e veçantë penale sipas ligjit të Malit të Zi.

Ndërkohë disa të afërm të malazezëve të zhdukur, si 80-vjeçarja Milica Bozoviç, mendojnë se koha ka filluar të mbarojë.

“Për dy dekada me radhë prita të dëgjoja se burri im ishte gjallë”, tha ajo.

“Tani dëshiroj vetëm të gjej dhe varros eshtrat e tij para se të vdes.”

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here