Tet 31, 2020

Një ditë pasi komiteti i ekspertëve komunikoi vendimin për të zhvilluar mësimin online, studentët kanë vendosur të ngrihen në protestë.

Data kur ishte paracaktuar për hapjen e vitit të ri akademik nuk do t’i gjejë të rinjtë në auditorë, por as në shtëpitë e tyre për mësim në distancë.

Pikërisht të hënën, në orën 10:00, ata do të dalin në sheshin përpara Ministrisë së Arsimit për t’i thënë “JO” mbylljes së universiteteve.

“Nuk është normale, pasi mësimi online nuk ka qenë fare efektiv. Ne e provuam një herë. Me pak fjalë, na kanë braktisur. Thjesht na thonë që mësimi do të bëhet online, por asgjë për mënyrën se si do t’i sigurojmë paratë për internetin”, shprehet një studente.

Vendimi ka irrituar më tepër studentët e rretheve që kishin bërë gati çdo gjë për të ardhur në tiranë me studime. Pas akomodimit në konvikte, ata do të duhet të rikthehen përsëri në banesat e tyre.

Kjo ka sjellë paqartësi për ta, ndërsa edhe vetë drejtoria e rezidencës studentore nuk është e qartë për mënyrën se si do të procedohet me pagesat. Me valixhe në duar, studentët që zgjodhën konviktin, ky fund tetori i gjeti në udhëkryq. Administrata nuk jep kurrfarë informacioni.

“Nuk dimë çfarë do të ndodhë me ne. Askush nuk di të thotë asgjë, përveçse pagesat që bëmë për muajin nëntor do të shtyhen për në dhjetor. Gjithnjë në rast se universitetet hapen. Gjithçka është në dëmin tonë. Përveç që do të bëjmë mësim online, i cili nuk funksionoi, kemi angazhime të tjera në Tiranë që nuk do të mund t’i ndjekim për shkak se nuk kemi ku të qëndrojmë tashmë”, thotë një studentë e vitit të dytë, që sapo ishte regjistruar në një nga konviktet e qytetit studenti.

Mbyllja e konvikteve, sipas studentëve, nuk është vendim i drejtë edhe për kohën kur u mor, pak ditë para nisjes së shkollës. Edhe fakultetet që kishin njoftuar oraret mësimore të leksioneve e seminareve me qëllim për të shmangur hyrjet në grup, këtë të premte, u tërhoqën, duke rikthyer mësimin online për të gjitha vitet.

Universiteti i Tiranës, që kishte planifikuar mësim të kombinuar, në auditorë dhe online, tanimë do të funksionojë vetëm përmes një platforme elektronike që thuhet se do të jetë e unifikuar.

Kyçja e universiteteve, ende pa u hapur erdhi dy ditë më parë si pjesë e masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Burimi:lajmifundit.al

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here