Aty ku bjeshkën e ke pranë dritares, ku pranë lumit mund të pish kafe, mund të ushqehesh në Kulla, që janë shndërruar në biznes familjar dhe të gjitha i ke shumë afër. Kjo është Peja, simboli i bukurisë, kulturës dhe traditave.

Përveç tjerash mund të shkosh edhe me tren, por dita vështirë të mjafton të vizitosh Muzeun Etnologjik,  Çarshinë e Vjetër, Mullirin e Haxhi Zekës, sheshin me po të njëjtin emër, Patriarkanën e shumëçka tjetër që ndodhet në këtë qytet, raporton lajmi.net

Sheshi Haxhi Zeka

Duke filluar nga sheshi “Haxhi Zeka” krejt pranë tij ndodhet Muzeu Etnologjik regjional, në të cilin janë të ekspozuara në galeri të veçanta artizanatet e ndryshme dhe veshjet karakteristike të Rugovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit.

Muzeu, është i vendosur në Konakun e Tahir Beut, i cili paraqet llojin më të bukur të shtëpive të vjetra të qytetit të Pejës.

Muzeu Etnografik në Pejë

Arkeologu Safer Maliqi, i cili çdo herë është në dispozicion për çdo vizitor, bën të ditur për lajmi.net se në Muze ndodhen më shumë se 120 eksponateve, nga veshjet kombëtare, te veglat e punës dhe armët interesante, të cilat tregojnë historinë e bujshme të kësaj zone, por ka edhe stoli. Për të parë krejt këto, duhet të paguani vetëm një euro, raporton lajmi.net

Nga Muzeu, shumë afër gjendet Çarshia e Vjetër, e cila paraqet një zonë me trashëgimi kulturore.

Çarshia e Vjetër në Pejë

E ndërtuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane në shekullin XIV ka qenë e përbërë nga katër pjesë, Çarshia e madhe, Çarshia e Gjatë, Okoli dhe Çarshia e Shatërvanit.

Në të janë qindra dyqane, të cilat sjellin nga afër zeje të ndryshme.

Aty ndodhet edhe Çarshia Xhamia, e ndërtuar që në vitin 1471, në oborrin e së cilës është i varrosur Haxhi Zeka. Madje ndodhet edhe Kulla e tij, apo si njihet Kulla e Pashës.

Për promovimin e kulturës dhe traditës në këtë qytet po përkujdeset edhe “Swisscontact”, ku përmes projektit: Promovimi i punësimit në sektorin privat (PPSE) dhe financim nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC) po punojnë që të promovojnë turizmin në këtë pjesë.

Edona Kurtolli nga PPSE thotë për lajmi.net se kanë për qëllim rritjen e të ardhurave dhe krijimin e 800 vendeve të punës shtesë, me orar të plotë, 30% për gratë.

“Programi fokusohet në dy sektorë: sektorin e përpunimit të ushqimit (konkretisht përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe nën sektorët e produkteve pyjore jo nga druri) si dhe sektorin e turizmit (të përqendruar në Kosovën perëndimore). Të dy sektorët ofrojnë potencial të madh për përmirësimin, për punësim, dhe shfrytëzim të aseteve përmes largimit të pengesave të zbuluara analizës përmes sonë”, thotë ajo.

Vetëm 300 metra larg nga kisha “Shën Katarina” rrugës për te Gryka e Rugovës është kisha ortodokse që gëzon statusin e Patriarkut.

Patriarkana e Pejës

Bukuria dhe rëndësia e saj janë pranuar në UNESCO, ku llogaritet si pasuri dhe mbrohet ndërkombëtarisht. Për të vizituar këtë kishë dhe për të bërë ca foto që t’i keni kujtim nga udhëtimi juaj në Pejë, duhet të keni një leje speciale nga menaxhuesit e saj serbë, raporton lajmi.net

Turizmi në Pejë nuk përfundon me kaq. Ndodhet Mullizi i Haxhi Zekës, ndër mullinjtë e parë industrialë me ujë në rajonin e Pejës, i ndërtuar në kohën e Austro-Hungarisë. Pra, në këtë qytet nuk mjafton dita.

Mulliri i Haxhi Zekës

Departamenti i Turizmit në Komunën e Pejës bëjnë të ditur se është zhvilluar shumë hoteleria dhe gastronomia.

Një të tillë e ka hijeshuar dhe e ka bërë më atraktive projekti i Shtëpisë Alpike “Ranch”, që ka kuaj për kalërim dhe ushqim të begatë për të interesuarit.

Alpin Ranch Pejë

Në shtegtimin nëpër këtë qytet, kalohet nëpër gjurmë të objekteve të ndryshme historike që kanë lënë në kohëra të ndryshme, edhe pse gërmadhat janë mbuluar dhe nuk janë bërë hulumtimet arkeologjike ende, mund të fillohet me historinë ku qyteti i Pejës ka qenë i shtrirë në periudhat Ilire./ Lajmi.net

Peja

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here