
IPE NË FLAMUR
Ipe egërsuar, Ipe me dy kokë
Njëra sheh nga Jugu, tjetra në veri
Me thonj e ke mbrojtur këtë pak tokë
Të prenë Kosovën, të prenë Çamërinë.
Ipe moj e zeza, që të prenë Atdhenë
Nga gjaku që rrodhi, e bëre flamurin
Egërsuar mbetesh, se ke bëre benë
Jug s’ësht’ Konispoli,Veri s’ësht’ Bajram Curri
Shihjani, shihjani gjuhën, Ipes me dy kokë
Dhe krahët e shtrirë, tej e tej Atdheut,
Ku jeni shqiptar, duket se ju thotë
Jeni apo s’jeni, bijt’ e Skënderbeut?!
Po sytë e saj, që s’u mbyllën kurrë,
Njëri sheh Veriun, tjetri Çamerinë,
Kur e bëm Kosovën, se ç’i ra një nur
Sikur nuse bëmë, prapë Shqipërinë
Ipe e Epirit, ipe me dy kokë
Me dy krah të hapur, Atdheut fluturim
Një orë në Shqipëri, një orë në Kosovë
Çdo sekond t’rreh zemra, moj për Çamërinë
Shenim: Në Çamëri, Ipe thërritet Shqiponja.
TAKIM I PËRDITSHËM
Përtej të përditshmes,
Përtej të zakonshmes,
Atje ku takohem
Me pragun e mallit,
Me pragun e ëndrrës
Kuquar nga gjaku,
Vaditur nga shpresa,
Piqem përherë
Me të madhërishmen.
Nënën time,
Çamërinë time …
Kështu përditë,
Kështu përjetësisht,
Bashkë ne të dy
Çamëria ime,
Dashuria ime…
Përtej të zakonshmes,
Përtej të përditëshmes,
Tek fjala e besa e burrit,
Tek ëndrrat që s,vriten,
Tek e madhërishmja
Ku rron e rritesh,
Për ne të gjithë
Fillon e mbaron Ti
Çamëria ime.
Dashuria ime!
HËNË E VISEVE TË MIA
( Variant)
…Vinte darka, më merrte uria
Ç,të më jepte e gjora nënë?..
Na kishin shkulur nga trojet .
Shkrrumë qenë bërë shtëpiat…
… Bukën e thatë ngjyente me hënë
Hënë e verdhë, si vezë nga Çameria
Hënë me bukë, bukë me hënë
Hënë e kafshuar nga unë…
…Hënë e viseve te mia…
…Hënë, zonjë hënë,Hënë nga Çameria…
Burimi:/revista Cameria
Comments
0 comments