“Arrest me burg” ka dhënë sot gjykata për Kliti Leka, autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Niko Goro, të shtunën në Himarë.

53-vjeçari akuzohet për veprat penale “vrasje me dashje” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Korespondenti i Panorama bën me dije se mbrojtje kryesisht është caktuar nga gjykata për të akuzuarin.

I pandehuri e ka pranuar mbrojtjen kryesisht ndërsa tha se do të kontraktonte privatisht një avokat.

***

Si nisi konflikti për tokën dhe borxhi 70 mijë euro

Një hapësirë toke ku një pallat ishte drejt përfundimit në ndërtim, në pronësi të familjes së Kliti Lekës, 53 vjeç, është shkaku i ekzekutimit të biznesmenit Niko Goro.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së shtunës në Himarë, ku biznesmeni Goro që ka në pronësi edhe një bar kafe në qendër të qytetit, është qëlluar për vdekje me armë zjarri pranë supermarketit të motrës së tij, Eftiqia Qesko. Edhe kjo e fundit mbeti e plagosur nga kjo ngjarje, ndërsa mësohet se ka marrë një plumb në këmbën e djathtë. Ndërsa Niko Goro mori katër plumba në trup, çfarë i shkaktuan edhe vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08 e 55 minuta të së shtunës, ndërsa autori ka udhëtuar ditën e premte nga Tirana me makinën e tij në drejtim të Himarës. Pasi është afruar pranë marketit në pronësi të motrës së Niko Goros, 53- vjeçari ka hapur zjarr ndaj tij. Viktima Goro mësohet se ka qenë në shoqërinë e motrës së tij në derën e marketit. Edhe ajo është prekur nga plumbat e lëshuar në drejtim të të vëllait.

Pesë plumba kanë dalë nga arma e 53-vjeçarit, nga të cilët katër plumba kanë përfunduar mbi biznesmenin, ndërsa një plumb ka prekur të motrën e tij në këmbë. Menjëherë Kliti Leka është larguar nga vendi i ngjarjes, duke hipur në automjet për t’u larguar drejt vendit të quajtur Livadh në Himarë. Pasi ka braktisur mjetin e tij tip “Volsvagen”, 53-vjeçari është larguar disa metra më tej duke iu fshehur ndjekjes së Policisë. Por, arratia e tij zgjati vetëm pak çaste, pasi autori u arrestua nga uniformat blu teksa po tentonte të fshihej nëpër shkurret në zonën e Livadhit në Himarë.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur pesë gëzhoja kallashnikovi. 53-vjecari Kliti Leka nga Tirana, por nip në Himarë, u kap me një çantë në dorë dhe dy armë, një kallashnikov dhe një pistoletë, ndërsa nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë. Po ashtu, policia sekuestroi edhe automjetin tip “Volsvagen”, me të cilën autori ka lëvizur gjatë momentit kur ka kryer vrasjen dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Makina e tij është gjetur e mbyllur, ndërsa çelësat, 53-vjecari i kishte hedhur teksa tentonte të fshihej nga Policia. Në momentin e arrestimit dhe pas marrjes në pyetje, 53-vjeçari ka pranuar autorësinë e vrasjes së biznesmenit nga Himara, Niko Goros. Ky i fundit mësohet se është edhe kushëriri, djali i xhaxhait të kryebashkiakut të Himarës.

“E vrava se i kisha dhënë një tokë në pronësi për pallat dhe nuk më kishte shlyer pagesat”, ka deklaruar autori pak pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, mësohet se autori dhe viktima kishin pasur edhe një grindje mes tyre kohë më parë. Ndërsa një ditë para ngjarjes,Kliti Leka ka qëndruar në Himarë, çfarë besohet sipas Policisë se e kishte programuar të gjithë atë çfarë do të kryente një ditë më vonë.

Nga burime të Policisë referuar edhe hetimeve të para, flitet për një marrëveshje mes autorit dhe viktimës për pallatin që ishte drejt përfundimit në tokën në pronësi të familjarëve të Kliti Lekës në Himarë, por dhe për një shumë rreth 70 mijë euro, pikërisht në këtë marrëveshje mes tyre.

HETIMET

Policia edhe pse ka arrestuar tashmë autorin dhe ky i fundit ka pranuar autorësinë, vijon të marrë deklarata të afërmve të autorit dhe viktimës. Ndërsa ende nuk është pyetur në cilësinë e dëshmitaresh okulare motra e viktimës Niko Goro, Eftiqia Qesko. Po ashtu burimet nga policia bënë të ditur se do të merren edhe dëshmi të personave që banojnë në afërsi të zonës ku ndodhi ngjarja, për të hedhur sa më shumë dritë mbi këtë krim. E motra e viktimës ndodhet akoma në gjendje të rënduar, për shkak të asaj çfarë ka ndodhur para syve të saj. Burimet thanë se ajo ka pësuar një gjendje shoku, në momentin kur 53-vjeçari i vrau të vëllanë në derën e marketit. Ndërkohë, autori i ngjarjes, Kliti Leka është dërguar nga Himara drejt Vlorës, ku do të vijojë të qëndrojë deri në daljen para gjykatës për masën e sigurisë. Deri më tani sipas burimeve nga Policia, deklarata e vetme që ka dhënë autori ka qenë pikërisht ajo menjëherë pas ngjarjes dhe arrestimit nga blutë e Vlorës.

Negociatat mes viktimës dhe autorit nuk zgjidhën konfliktin

Shkak për ngjarjen që tronditi Himarën mëngjesin e së shtunës dyshohet se mund të jetë një marrëveshje e lidhur dy vite më parë, ku Kliti Leka do t’i vinte në dispozicion tokën që zotëronte në Himarë, mbi të cilën biznesmeni Niko Goro, do ndërtonte pallatin. Në fakt, Niko Goro e ka ndërtuar objektin mbi sipërfaqen e tokës dhe është në fazë përfundimi, por nuk ia kishte dhënë pjesën që i takonte Kliti Lekut.

Pjesa takuese ishte përllogaritur në dy apartamente, por Kliti Leka, mendohet se ka marrë vetëm një apartament, megjithatë kjo mbetet ende për t’u vërtetuar. Shpesh mes Goros dhe Lekës, ka pasur negociata dhe gjatë kësaj periudhe 53- vjeçari, e ka ndjerë veten të mashtruar nga biznesmeni, e për pasojë ka shkuar drejt vendimit ekstrem.

Ditën e shtunë Leka ka zbritur nga makina tip “Volkswagen” dhe ka qëlluar në drejtim të Goros me kallashnikov 5 herë. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, disa kilometra larg në vendin e quajtur Livadhet, është arritur kapja e autorit, ndërkohë që është gjetur arma e krimit, kallashnikovi, por edhe një pistoletë si dhe makina “Volswagen”. Sipas burimeve, autori nuk ka qenë i maskuar dhe ka vepruar i vetëm në krim. Ai është ndaluar nga Policia, teksa mundohej të largohej, por makina e tij ishte lokalizuar shumë shpejt, pasi dëshmitarët në vendngjarje treguan me detaje karakteristikat e mjetit.

Ndërkohë, roja i pallatit që po ndërtonte biznesmeni Goro, është shprehur se i ka parë disa herë viktimën dhe autorin duke debatuar me njëritjetrin për çështje dokumentesh. “Unë i kam parë duke biseduar dhe debatuar me njëri-tjetrin për çështje dokumentesh, por jo në mënyrë të acaruar. Ata kanë biseduar te hyrja e pallatit, ka rreth një muaj që i kam parë për herë të fundit. Unë kam shtatë vite që punoj për Goron, e njoh, ishte njeri shumë i mirë. Ngjarjen e kam marrë vesh kur kam ardhur në punë te pallati dhe shkova në spitali. Jam shumë i tronditur, ishte njeri i mirë”, ka thënë i tronditur roja i pallatit.

© Panorama.al

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here