Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka kërkuar që mbledhjet “online” të Komisioneve Parlamentare të trajtohen më me respekt dhe seriozitet nga ana e deputetëve.

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve më datë 13 tetor, kryeparlamentari kërkoi që deputetët në momentin që marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve të jenë në zyra, apo shtëpitë e tyre dhe jo duke i dhënë makinës apo në ambiente të tjera të papërshtatshme.

Ky apel i kryeparlamentarit vjen në një kohë, kur gjatë kohëve të fundit nuk kanë qenë të pakta rastet, kur deputetët shfaqeshin në ambiente aspak komode për të bërë shqyrtimin e ligjeve. Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur deputetët futeshin në mbledhjet “online” të Komisioneve Parlamentare nga makinat e tyre, lokale, apo edhe duke bërë plazh, gjatë muajve të verës.

Madje pa pasur disa raste që deputetët e fillonin mbledhjen në zyrë, më pas gjatë diskutimeve, në një kohë që mbledhja “online” vazhdonte, deputetët dilnin nga zyra dhe vazhdonin të jepnin sugjerime, apo amendieme për ligjet dhe kodet që ishin në rendin e ditës. Kjo situatë aspak normale dhe që në disa raste ka lënë për të dëshiruar sa i takon jetës parlamentare, është pasqyruar edhe në një raport të Institutit të Studimeve Politike, i cili e evidentoi këtë problematikë shqetësuese për cilësinë e jetës parlamentare në vend, por edhe të vetë ligjeve që diskutohen dhe miratohen në këto kushte.

Mbledhjet “online” të Komisioneve Parlamentare, filluan në javët e para të muajt prill, fill pasi në vend filloi regjimi i karantinës dhe nuk lejohej dalja nga shtëpia dhe si një tentativë për të shmangur grumbullimet në hapësira të vogla. Ndërkohë, në javët e fundit nga Kuvendi janë vënë në dispozicion 3 ambiente ku mund të zhvillohen mbledhjet e Komisioneve Parlamentare me prezencë fizike të deputetëve, duke garantuar protokollet e pandemisë.

Gramoz Ruçi

Para se të bëj komentin e propozimeve, me lejoni të tërheq vëmendjen e të gjithë kryetarëve të Komisioneve për mbledhjet. Sigurisht që kemi vendosur të vazhdojnë të zhvillohen “online”, në raste të veçanta kemi në dispozicion tri ambiente, si: salla e madhe, salla e grupeve dhe kjo salla ku jam unë, kur Komisionet ta shikojnë të arsyeshme për t’i zhvilluar mbledhjet me praninë fizike, sigurisht duke zbatuar të gjitha masat e protokollit, por për të gjitha mbledhjet e komisioneve që zhvillohen online do të kërkoja etikën dhe rigorozitetin e të gjithë pjesëmarrësve. Jeni në sytë e publikut, siç jeni ju dhe unë “online”, janë “online” edhe ato për publikun dhe nuk është serioze që, ndërkohë që zhvillohet mbledhja e Komisionit, deputeti, meqë ia lejon elektronika, të flasë nga makina.

Këto nuk duhen toleruar nga asnjë kryetar Komisioni. Lidhur me problematikën që trajtoi zoti Murrizi, që besoj se pothuajse iu përgjigjen kryetarët e Komisioneve, pra nismat për Kodin Penal apo të Kodin e Procedurës Penale, qoftë sugjerimi që bëri zoti Murrizi dhe që i dha përgjigje kryetari i Komisionit të Ligjeve, besoj se do të vijnë në një paketë, do të shpejtohet puna, që të mos jenë të shkëputura si nisma, por të bashkohen të gjitha.

Lidhur me ligjet e prapambetura, sigurisht që morën përgjigje, qoftë ajo e institutit, e cila është në datën 22 në kalendar, në mos gaboj, qoftë kjo e festave zyrtare. Unë do të mbështesja dhe do të inkurajoja Komisionin e Veprimtarive Prodhuese që për ligjin “Për gjuetinë”, që është i mbartur prej disa kohësh, të bashkëpunojë me grupet parlamentare, me qëllim që të bëhet objekt i shqyrtimit në kalendarin pasardhës.

Vërejtja e përsëritur jo vetëm sot nga zoti Murrizi, sigurisht, është një detyrë dhe unë do ta kem në vëmendje lidhur me vakancat tek institucionet e Kuvendit. Është vërejtje e drejtë. Do të kërkoja edhe mirëkuptimin e grupeve parlamentare që ta shohin me vëmendje, pasi është një standard, është në frymën e rezolutës, që e kanë miratuar edhe parlamentet e tjera dhe jo vetëm ato, veçanërisht Parlamenti Europian, prandaj nuk ka pse të bëhet objekt i debatit politik.

Burimi:/ Panorama.al

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here