17 TETOR 2020

A na mbron maska prej lecke? Flet eksperti Dasho

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho ka bërë thirrje që të mbahen maskat, si një mënyrë për tu mbrojtur nga koronavirusi.

Gjithashtu ai theksoi se nevojiten maska të certifikuara, të tipit kirurgjikal apo FFP të cilat ofrojnë mbrojtje të arsyeshme ndaj COVID-it.

“Qeveria para se të mendojë për të gjobitur qytetarët që nuk mbajnë maska lecke në publik, bën mirë të krijojë një sistem subvencioni dhe shpërndarje të maskave njëpërdorimëshe të paktën për të moshuarit dhe qytetarët që nuk kanë mundësi ekonomike të blejnë maska të tilla”, thekson Dasho

Postimi i Erion Dashos

MASKA NJËPËRDORIMËSHE APO SHARLATANË SHUMËPËRDORIMËSH?!

Duke qenë se shumë zhurmues më ndërhyjnë në komunikimin me miqtë e faqes, po sqaroj edhe njëherë dhe nuk merrem më me këto sqarime të kota:

Që në fund të muajit mars, kam rekomanduar mbajtjen e maskës si masë për të parandaluar transmetimin e COVID-it. Atëherë kur zhurmuesit që sot komentojnë në faqen time duartrokisnin kryeministrin dhe “ekspertët” e komitetit që argumentonin se maskat nuk duhen. E kam dhënë këtë rekomandim një javë para se dy shtetet e para – Izraeli dhe Çekia – ta rekomandonin për qytetarët e tyre. Në dijeninë time, vetëm ish-ministri Vasili ka folur për nevojën e mbajtjes së maskës pak a shumë në të njëjtën periudhë.

Së dyti, vazhdoj t’i qëndroj mendimit se në transportin publik, në mjedise tregtimi dhe, përgjithësisht, në çdo mjedis publik të mbyllur, maska duhet mbajtur. Nevojiten maska të çertifikuara, të tipit kirurgjikal apo FFP të cilat ofrojnë mbrojtje të arsyeshme ndaj COVID-it. Qeveria para se të mendojë për të gjobitur qytetarët që nuk mbajnë maska lecke në publik, bën mirë të krijojë një sistem subvencioni dhe shpërndarje të maskave njëpërdorimëshe të paktën për të moshuarit dhe qytetarët që nuk kanë mundësi ekonomike të blejnë maska të tilla.

Së treti, mendimi im personal, i bazuar në ato evidenca që kam mundur të konsultoj, është se përdorimi i maskave në rrugë përgjithësisht është i paefektshëm. Janë shumë të rralla situatat në Shqipëri që kërkojnë mbajtjen e maskës në publik. Ndoshta vetëm 2 apo 3 rrugë në Tiranë mund të justifikojnë një masë të tillë, por edhe në këto raste ka shumë zgjidhje alternative madje më të efektshme se maska prej lecke.

Si përfundim, sot Shqipëria po përballohet me një situatë të vështirë shëndetësore. COVID-19, gripi dhe virozat e stinës mund ta bëjnë këtë dimër një prej dimrave më sfidues për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.

Maskat njëpërdorimëshe të përdorura me korrektesë në mjedise të mbyllura janë shumë më të dobishme se sharlatanët shumëpërdorimësh në qarkullim. Kaq për këtë temë!

Burimi:/gazeta shqip

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here