16 Tetor 2020

Një kosovare, sot 21 vjeçe ka ngufatur në dy raste pacientët e tjerë në dy klinika psikiatrike. Këtë e ka bërë në mënyrë që t’i mundësohet ta transferojnë në një klinikë tjetër. Mjekët kanë konstatuar tek ajo një çrregullim të personalitetit.

Kosovarja e lindur dhe rritur në Zvicër, kishte sulmuar nga pas një paciente që po shikonte televizorin në qendrën psikiatrike Rheinau në janar 2018 dhe e kishte ngufatur duke e shtrënguar me duar në qafë derisa asaj i ishte errësuar shikimi, transmeton albinfo.ch. Vetëm falë ndërhyrjes së personelit të kujdesit, viktima kishte shpëtuar nga vdekja.

Dhe ky nuk ishte rast i izoluar: Një vit para rastit të përmendur, si adoleshente 17-vjeçare, ajo, në Klinikën Universitare të Psikiatrisë në Bazel ishte përpjekur të mbyste një djalë dymbëdhjetëvjeçar duke e lidhur me një shall rreth qafe. Edhe atëherë ajo kishte dashur ta detyronte transferimin e saj në një institucion tjetër.

E akuzuara është rritur në një shtëpi ku mbretëronte dhuna dhe kishte probleme të mëdha psikologjike edhe në shkollë. Ajo as nuk ka mbaruar shkollën dhe as nuk ka bërë praktikë, ndërsa ka qëndruar në shumë klinika dhe ka bërë shumë terapi.

E reja kosovare vuan nga një çrregullim i rëndë personaliteti dhe nga skizofrenia.

Për të dy sulmet, gjykata për të miturit, në Bülach, e kishte shpallur atë fajtore për vrasje në tentativë (në çështjen e Bazelit) dhe për tentim vrasjeje të qëllimshme (në çështjen Rheinau) në fund të vitit 2018.

Për të dy deliktet ajo ka marrë një dënim me dhjetë vjet burg dhe masën e dëbimit po aq të gjatë nga Zvicra.

Kosovarja e ka kundërshtuar këtë vendim duke e atakuar atë në gjykatën më të lartë (në Gjykatën Kantonale të Cyrihut). Avokati i saj ka kërkuar një dënim me pesë vite burg dhe heqje të masës së dëbimit nga Zvicra.

Sulmi i paqartë në Klinikën Rheinau, sipas tij, nuk ishte tentim vrasje e qëllimshme. Klientja e tij nuk e ka ngufatur viktimën aq fuqishëm për ta quajtur atë veprim tentim të vrasjes.

Sipas vendimit me shkrim që është dërguar në media të enjten, gjykata e lartë në thelb ka konfirmuar vendimin e gjykatës më të ulët. Gruaja 21-vjeçare është dënua me nëntë vjet, një vit më pak se që e kishte dënuar atë gjykata e të miturve në Bülach.

E akuzuara do të qëndrojë në një klinikë psikiatrike. Ajo pastaj duhet të largohet nga Zvicra për dhjetë vjet.

Rasti i kosovares, e cila ka lindur dhe është rritur në Zvicër, me siguri do të trajtohet në kuadrin e klauzolës së “rasteve të rënda”. Ky trajtim mundëson shpeshherë heqjen dorë nga dëbimi.

Burimi:/telegrafi

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here