Tension. Emocione. Frikë. Shqipëria po luante në mes të Beogradit përballë 25. 200 serbëve. Për fat, lojë dhe raste të rrezikshme ishin për kuqezinjtë, me Cana-Mavraj & Co që udhëhiqnin ekipin tonë. Taktika të zgjedhura mjeshtërisht nga De Biazi-Tramexani për të përballuar mbi të gjitha… frikën e lojtarëve. Në fushë nisën të hidheshin flakadanë. Loja ndërpritet. Shqipëria po sulmohej edhe nga tifozët, përveçse nga 11- shja që ishte në fushë. Kronometrohej minuta e 42-të… Papritur, në horizont të stadiumit shfaqet një flamur. Jo ai i Shqipërisë zyrtare. Dicka me shume.

Një punim, me hartën e të gjitha trojeve shqiptare, dhe në dy anët dy figura të shquara të historisë shqiptare që për pak minuta pushtuan Beogradin dhe kthyen pllakën e kualifikueseve për Kombëtaren drejt “Euro 2016”. Isa Boletini dhe Ismail Qemali fluturuan mbi qiellin e Beogradit, nën drejtimin e një mjeti fluturues, tip dron. E nëse gjithçka thuhet në pak rreshta, jo vetëm që zgjon emocionet e të gjithë shqiptarëve sot pas 6 vitesh, por përmbledh edhe të gjitha vuajtjet para dhe sidomos pas, që ka përjetuar ideatori. Heroi. Tifozi dhe patrioti që bëri gjithçka të mundur.

Ismail Morina, ose “Ballisti”, pranon ekskluzivisht për “Panorama Sport” të flasë për këto gjashtë vite. Çfarë i ka ndodhur? Çfarë ka përjetuar familja e tij? Ndikimi i atij flamuri në kualifikim. Ultrasi i Kombëtares rrëfen ekskluzivisht për gazetën edhe qasjen që ka ai sot për Serbinë dhe serbët. “Nuk kam shkelur më në Serbi që nga ajo natë, por jam i sigurt që herët apo vonë do ta bëj dhe kurdo që do të ndodhë, do të jetë për qëllime hulumtimesh kulturore apo shoqërore”, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” autori i “AUTOCHTHONOUS”.

Si jeni dhe si shkon jeta pasi u bëtë i famshëm për dronin?

Përkryeshëm besoj. Më shumë se kaq nuk mund të pretendoja. Që kur ndodhi “AUTOCHTHONOUS” në Beograd, gjithnjë kam qenë i përkushtuar t’i kthehem jetës para ngjarjes, por pa i sforcuar gjërat. Dhe pas shumë peripecish (3,5 vjet përndjekje mes burgjeve, arresteve shtëpiake dhe bllokimit të pasaportës ilegalisht nga autoritetet shqiptare) ia dola t’i kthehem në mënyrë të suksesshme jetës që zhvilloja para asaj nate të datës 14.10.2014. Punoj në sipërmarrje, në sektorin e autotransportit, dhe po shijoj maksimalisht familjen dhe e pohoj me bindje dhe krenari që jam bashkëshort dhe atë me dedikim maksimal.

A keni pasur shqetësime nga ndonjë strukturë apo nga tifozë nëpër rrjetet sociale?

Sa u përket kërcënimeve në rrjete sociale, ka pasur pafundësisht, ndërsa tani, sa herë që “AUTOCHTHONOUS” bëhet aktualitet, marr kërcënime. Kjo ka ndodhur sidomos në rastin e fundit kur Dua Lipa postoi “AUTOCHTHONOUS” në profilet e saj në rrjetet sociale, por edhe në rastin kur një gazetar anglez (James Montague) botoi para pak kohësh një libër (“Among the Ultras”) mbi tifozëritë nëpër botë dhe ku i kishte dedikuar një kapitull të tërë veprës “AUTOCHTHONOUS”.

Çfarë ndodhi në rastin e botimit të këtij libri?

Ky libër është botuar edhe në Serbi dhe aty mediat kanë botuar disa fragmente në lidhje me tregimet e mia në libër apo përshtypjet e autorit mbi mua dhe mbi veprën “AUTOCHTHONOUS” e kështu me radhë. Menjëherë kam marrë kërcënime me vdekje nga profile false dhe jofalse në rrjete sociale. E vërteta është se asnjëherë që kur kanë filluar këto kërcënime në 2014-ën dhe deri sot nuk i kam denoncuar në organet ligjzbatuese, as në Shqipëri, por as edhe në Itali.

Pse nuk e keni ndërmarrë një veprim të tillë?

Për faktin e thjeshtë që asnjëherë nuk kam pasur besim në punën e tyre, por gjithsesi duhet të jetojmë me një jetë të tillë dhe ç’është e vërteta që para ngjarjes i kisha parashikuar këto efekte negative.

E kishit parashikuar gjithçka do t’ju ndodhte pas asaj nate?

Le të themi që nuk e kisha llogaritur mirë zgjatjen në kohë të këtyre efekteve dhe nënkuptoj këtu nisur që nga kërcënimet deri te përndjekja e autoriteteve serbe dhe shqiptare. Po ashtu, nuk kisha llogaritur e as imagjinuar që rasti im ose le të themi vepra “AUTOCHTHONOUS” do të bëhej koklavitje, lojë intrigash ndërkombëtare në një trekëndësh Bermude mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Serbisë sa i rrezikshëm po aq dhe qesharak. I referohem ndalimit që m’u bë në Kroaci në fillim të muajit qershor të 2017-ës për thuajse një vit!

A do ta bënit sërish, të ngrini sërish dronin në Beograd?

Atëherë, para se t’i përgjigjem pyetjes suaj, më lejoni të vë në dukje dhe njëkohësisht të korrektoj dhe të shpjegoj që droni në vetvete ishte një instrument që u përdor për të valëvitur flamurin “AUTOCHTHONOUS”. Pra, siç mund të shërbejë një shkop apo një shtizë për të valëvitur një flamur, atë detyrë precize kishte droni. Jam i vetëdijshëm që droni në vetvete ka tërhequr shumë vëmendje, pra ishte një risi për kohën kur bëri atë shfaqje, por nuk ka asnjë kuptim që të vihet në plan të parë droni dhe pastaj në rastin tuaj besoj pa dashje, por në shumë raste të tjera qëllimshëm kalohet vepra “AUTOCHTHONOUS” në plan të dytë. Pra, ka një qëllim zbehjeje, një formë censure të kamufluar.

Një pyetje retorike: A do duhej unë të shkoja deri në Beograd për të ngritur një dron? Duke iu kthyer pyetjes suaj, do t’ju thosha që “po”. Do ta ribëja pa më të voglin hezitim dhe kushdo që do të më pyesë në këtë drejtim, të njëjtën përgjigje do të marrë deri në frymën e fundit timen. Do të më lejoni të shkoj edhe më tej… Shumë njerëz akoma sot nuk e honepsin dot, por ka nga ata që jetojnë me principe të shëndosha njerëzore që më kuptojnë dhe e kanë kuptuar shumë mirë sakrificën time. Ka nga ata që pyesin: “Po hë, çfarë fitove?” Unë jam me ata të parët që citova.

Për mua mbështetja e Kombëtares ka qenë princip i shëndoshë njerëzor, është dhe sot dhe do të vazhdojë të jetë kështu. Atëherë, nuk imagjinoja dot që djemtë tanë të ngeleshin jetimë në atë 90- minutësh dhe vendosa të isha i 12-ti lojtar ashtu siç e kam bërë gjithmonë vetëm se këtë radhë i kaloi premisat e lojtarit të 12-të. Kështu që, për mua është e pakonceptueshme të mohoj apo të paktën në nivelin mental të pohoja: “Jo, nuk do ta ribëja një gjë të tillë!” Duke rikapitulluar gjithë kuptimin e pyetjes, përgjigjja është: “Po! Do ta ribëja me të njëjtin pasion, vendosmëri dhe krenari që e kam bërë atëherë!!!”

Cili është pengu më i madh në jetën tuaj?

Pengu i jetës sime është që të kisha luajtur qoftë edhe një minutë, në një ndeshje zyrtare me fanelën e Kombëtares. Në moshë të re, kur kam qenë gjimnazist, kam qenë shumë premtues në futboll, por fatkeqësisht mora rrugët e mërgimit si shumë moshatarë të mi të asaj kohe dhe kështu u shua gjithçka…

Burimi:/Panorama Sport

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here