14 TETOR 2020

Përse ambasadori britanik, flet për Kodin tonë Zgjedhor?!

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman, ka bërë një deklaratë për çështjen e ndryshimeve Kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor, mjaft ditë me vonesë nga deklaratat që bënë atë ditë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.

Ambasadori Norman, ka mbajtur një qëndrim pak më ndryshe nga kolegët e tij të bashkësisë ndërkombëtare. Sipas tij, qeveria e tij është zhgënjyer që ndryshimet kushtetuese u bënë përtej marrëveshjes së 5 qershorit.

Ky qëndrim i Britanisë së Madhe, natyrisht që është konsideruar një favor nga ana e qarqeve të opozitës, por duket se ka komplikuar paksa opinionin publik në lidhje me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar.

Kjo pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, janë dy bashkësitë që direkt janë marrë me negocimin për marrëveshjen e 5 qershorit dhe kanë ndikuar që palët të arrijnë atë konsensus. Dhe më pas SHBA dhe BE kanë deklaruar se ata përkrahin çdo qëndrim të përbashkët për çështjet zgjedhore, por është në dorën e autoriteteve shqiptare, Parlamentit në radhë të parë e partive politike që të zgjidhin këtë çështje.

Por një qëndrim i Britanisë së Madhe, është i pakuptueshëm, jo thjesht me një dalje nga kuadratet e koordinimit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për vetë rolin e Londrës zyrtare në proces.

Mbretëria e Bashkuar nuk është më një vend i Bashkimit Europian, i cili i cakton Shqipërisë standardet ngaqë vendi ynë kërkon të bëhet pjesë e BE-së dhe është në proces.

Ndërkaq, SHBA është aleati më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, që asiston dhe përkrah që vendi te ecë si aleat i NATO-s në rrugën e zbatimin e standardeve demokratike.

Britania është thjesht një vend i botës së lirë, që edhe nëse ka mendime për zhvillimet në Shqipëri, ata nuk janë më pjesë, e drejtë apo detyrë e Foreign Office-s, por angazhim i Brukselit.

Në këtë logjikë i bie që edhe Shqipëria të kishte qëndrimet e saj për daljen e Londrës nga BE me Brexit-in apo me dështimin e përballimit të pandemisë nga ana e qeverisë së Boris Johnson. Por kjo në gjuhën diplomatike quhet ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti.

Burimi:/gazeta-shqip.com

Leave your vote

Comments

0 comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here